Sindikata e Pedagogëve njofton bojkot të mësimit në të gjitha universitetet
Sindikata e Pedagogëve njofton bojkotin e mësimit nga nesër dhe marshim me studentët drejt Kryeministrisë.
Sindikata e Pedagogëve ka njoftuar bojkotimin e procesit mësimor në të gjitha universitetet e vendit, duke filluar nga dita e nesërme. Vendimi është bërë publik nga kreu i sindikatës, Sander Kovaçi, pas një mbledhjeje të kryesisë, ku është vendosur ndërprerja e mësimit në institucionet e arsimit të lartë.
Sipas Kovaçit, pedagogët do të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, nga ku do të marshojnë së bashku me studentët drejt Kryeministrisë.
Vendimi për bojkotin vjen në një kohë kur protestat e studentëve vijojnë në Tiranë, ndërsa pedagogët kanë shprehur mbështetjen e tyre për kërkesat e të rinjve dhe kundërshtimin ndaj dhunës së pretenduar policore gjatë demonstratave.
Pedagogët kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare
Sindikata e Pedagogëve ka paraqitur pesë kërkesa, të cilat lidhen me situatën politike, trajtimin e protestuesve nga policia, respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës publike e private.
Në kërkesën e parë, pedagogët i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë studentët dhe të ndërmarrë hapa për qetësimin e situatës në vend.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e sindikatës.
Thirrje policisë për ndalimin e dhunës ndaj studentëve
Në kërkesën e dytë, Sindikata e Pedagogëve u drejtohet strukturave të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për ruajtjen e rendit, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të çdo akti dhune ndaj studentëve.
Pedagogët u bëjnë thirrje efektivëve të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm, duke theksuar se përgjegjësia për veprimet e tyre mbetet individuale.
“I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojnë të zbatojnë urdhra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave”, theksohet në deklaratë.
Apel për përfaqësitë diplomatike dhe mbrojtjen e pronës
Në kërkesën e tretë, sindikata u bën thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të reagojnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
“I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja”, thuhet në qëndrimin e pedagogëve.
Ndërkohë, në kërkesën e katërt, sindikata u drejtohet protestuesve, duke i nxitur të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private gjatë demonstratave.
Sipas pedagogëve, shmangia e dëmtimeve materiale është e rëndësishme për të mos i dhënë qeverisë justifikime për përdorimin e forcës dhe për delegjitimimin e protestës.
“I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës”, thekson sindikata.
Sindikata fton qytetarët e Tiranës t'u bashkohen studentëve
Në kërkesën e pestë, Sindikata e Pedagogëve u bën thirrje qytetarëve të Tiranës që të mbështesin protestën e studentëve, duke iu referuar edhe lëvizjes studentore të vitit 1991.
“I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë”, thuhet në deklaratë.
Me shpalljen e bojkotit të procesit mësimor, sindikata synon të zgjerojë mbështetjen për protestën e studentëve, ndërsa marshimi i radhës është paralajmëruar për nesër, në orën 10:00, nga Universiteti Politeknik i Tiranës drejt Kryeministrisë.
Njoftimi i sindikatës nuk përcakton kohëzgjatjen e bojkotit apo kushtet për rikthimin e procesit mësimor në universitete.
Burimi: Euronews
Më të lexuarat






k.jpg)